Rreth gazit natyror
Gazi natyror është forma më e pastër e lëndës djegëse. Ai është zgjidhja më efikase dhe më e besueshme për mbështetjen e rritjes së kërkesës për furnizim energjetik të përballueshëm dhe me sasi të ulët karboni, si dhe luan rol kyç në arritjen e objektivave të BE-së për klimën.
Gazi natyror është lëndë djegëse që mund të furnizojë me energji të pastër në mënyrë të besueshme sistemet energjetike evropiane në ndryshim të vazhdueshëm, duke ndihmuar edhe në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë (GS) dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mjedisit.
Forma më e pastër e lëndës djegëse
Gazi natyror është forma më e pastër e lëndës djegëse dhe mund ta ndihmojë Evropën të bëhet më pak e varur nga burimet e energjisë me bazë karbonin, si qymyri dhe linjiti.
Gazi natyror, siç u konstatua edhe nga Komisioni Evropian në Strategjinë e Bashkimit Evropian për Energjinë dhe axhendën e Marrëveshjes së Gjelbër, është një komponent jetik për kalimin e BE-së në ekonomi me sasi të ulëta karboni.
Së bashku me zbatimin e teknologjive novatore të tilla si Kapja, Përdorimi dhe Ruajtja e Karbonit (CCUS), gazi natyror mund të ndihmojë në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Parisit.
Duke zëvendësuar lëndët djegëse që përdoren rëndom, si qymyri apo druri, gazi natyror do ta ndihmojë BE-në që t’i reduktojë emetimet e gazeve serrë në zero deri në 2050-n. Energjia elektrike e prodhuar nga gazi natyror emeton më pak se gjysmën e gazeve serrë që emeton qymyri, dhe deri në më pak se një të tretën të gazeve serë të naftës. Gazi natyror ka edhe përfitime shëndetësore dhe mjedisore, pasi përmirëson cilësinë e ajrit dhe redukton smogun dhe grimcat e rrezikshme.
Alternativë e aksesueshme, e përballueshme dhe e sigurt
Në 2018-n, gazi natyror përbënte thuajse gjysmën e rritjes së kërkesës së përgjithshme. Kjo kërkesë do të vijë duke u rritur paralelisht me rritjen e kërkesës për energji. Prandaj, gazi natyror luan rol të rëndësishëm në dekarbonizimin e sistemeve energjetike të Evropës.
Ndonëse Evropa i ka kthyer sytë drejt një të ardhmeje me sasi më të ulëta karboni, sërish ka nevojë për furnizime energjetike të diversifikuara, të sigurta, të besueshme dhe të përballueshme, për t’i dhënë hov ekonomisë, ngrohur familjet dhe për të ruajtur nivelin e konkurrueshmërisë.
Gazi natyror do të vijojë të jetë pjesë e përbërjes evropiane energjetike, së bashku me burimet e energjisë së rinovueshme, duke garantuar një zinxhir furnizimi të pandërprerë, si dhe duke e ndihmuar BE-në të arrijë objektivat e veta për klimën.
Transportim efikas dhe i sigurt
Gazsjellësit e gazit natyror mund të japin kontribute domethënëse në sigurinë energjetike të BE-së, duke zëvendësuar burime të tjera ekzistuese të energjisë, si dhe duke plotësuar furnizimet e reja me gaz, si gazi natyror i lëngshëm (GNL).
Industria e gazit është e ndërgjegjshme për rëndësinë e trajtimit të emetimeve të metanit, për të siguruar se gazi dhe infrastruktura e lidhur me të mbeten komponentë të rëndësishëm të përbërjes evropiane energjetike në plan afatgjatë. Ajo ka bërë mjaft përparime në identifikimin e të gjithë burimeve domethënëse të emetimeve në segmente të ndryshme të zinxhirit të vlerës së gazit, duke filluar që nga prodhimi e deri te transportimi dhe përdorimi.
Rrjetet ekzistuese të gazit sigurojnë besueshmërinë dhe fleksibilitetin e sistemit energjetik përmes zbatimit të më të mirës së teknologjive moderne. Teknologjia e gazsjellësit do të vijojë të përmirësohet falë bashkëpunimit të aktorëve kryesorë të industrisë për trajtimin e problematikave të emetimit.