Angazhimi me komunitetet
Gazsjellësi Trans Adriatik është i angazhuar të ketë dialog të hapur dhe të vendosë marrëdhënie afatgjata besimi me komunitetet dhe palët e interesit përgjatë gjurmës së gazsjellësit.
TAP-i ka konsultuar me palët e interesit që prej fazave më të hershme të hartimit të projektit.
Ne jemi të angazhuar të vendosim dialog të hapur dhe me përfitime të ndërsjella dhe të krijojmë marrëdhënie afatgjata dhe të besuara me palët tona të interesit. Këtë e bëjmë duke ndjekur standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të industrisë.
TAP-i ka hartuar Planet të Angazhimit të Palëve të Interesit (SEP-të) për secilin vend pritës, të cilët janë në përputhje me kërkesat e ligjeve dhe rregulloreve kombëtare si dhe me nevojat e veçanta të komuniteteve dhe që mbështeten nga ekipe të përkushtuara të rekrutuara në vend, për të drejtuar veprimtaritë tona.
SEP-të janë të disponueshme për publikun dhe përshkruajnë masa si instrumentet e ndryshme të kontaktit që ne përdorim për të informuar komunitetet e ndikuara dhe publikun për veprimtaritë dhe vendimet e angazhimit me komunitetin.
TAP-i është gjithmonë i gatshëm dhe i disponueshëm për dialog dhe synon të sigurojë gjithmonë informacion të saktë dhe transparent.
Plotësojmë angazhimet tona
TAP-i ka kryer konsultime përfshirëse në Greqi, Shqipëri dhe Itali përgjatë të gjithë periudhës së ndërtimit të gazsjellësit për t’i dhënë palëve të interesit mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre.
Janë organizuar më shumë se 1.700 takime publike gjatë fazave të ndryshme të Vlerësimeve tona të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS-të), me autoritetet vendore, organet rregullatore, organizatat joqeveritare (OJF-të) dhe komunitetet e ndikuara përpara përcaktimit përfundimtar të gjurmës. Kjo përfshiu konsultime për veprimtaritë e blerjes dhe servitutit të tokës në secilin nga tre vendet pritëse.
Familjet e ndikuara u konsultuan individualisht përpara ndërtimit dhe kur toka u kthye në gjendjen fillestare dhe iu rikthye pronarëve. Janë organizuar takime shtesë me familjet lidhur me programet e restaurimit të jetesës, për të shpjeguar të drejtat dhe alternativat për asistencë. Në të tre vendet pritëse janë mbajtur rreth 130.000 takime individuale.
Gjithashtu, TAP ka realizuar një census të tokës dhe inventar të aseteve dhe ka bërë konsultime të detajuara individuale me personat e ndikuar për të mbledhur të dhënat përkatëse për tokën, asetet dhe jetesën.
Angazhimi me shoqërinë e gjerë
TAP-i është gjithashtu i përkushtuar të angazhohet me anëtarët e shoqërisë civile që kanë interes për gazsjellësin, përfshirë OJF-të. Ne bashkëpunojmë me një sërë OJF-sh duke synuar që projekti jonë të jetë i qëndrueshëm por edhe me përfitime për komunitetet fqinje.
Jemi të hapur dhe të disponueshëm për dialog konstruktiv dhe kuptimplotë me organizatat që kanë interes për operacionet e TAP-it. Ne sigurojmë edhe informacion të saktë, transparent dhe të përditësuar për gazsjellësin, në mënyrë që faktet të kuptohen qartë.
-
Rast studimor: fuqizimi i të drejtave mbi pronën në Shqipëri
Në Shqipëri, veprimet me pronat e paluajtshme mund të kenë ndikim negativ në jetesën e popullsisë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, si pasojë e mungesës së të drejtave zyrtare mbi pronën.
TAP e vuri re këtë sfidë gjatë fazës së planifikimit të projektit dhe gjatë fazës së blerjes së tokës. Në vitin 2013, me qëllimin për të ndihmuar komunitetet lidhur me çështjet e të drejtave të pronësisë, TAP-i nisi një Program për Përditësimin dhe Përmirësimin e Kadastrës. Kjo u krye në bashkëpunim me autoritetet përkatëse dhe me mbështetjen e kontraktorëve vendas.
Programi mblodhi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, ndërmori rilevimet dhe matjet në terren, krijoi hartat dhe zbatoi një fushatë të gjerë për angazhimin e komunitetit dhe palëve familjare të interesit. TAP-i mbuloi të gjitha shpenzimet që lidheshin me procesin.
Rreth 34.000 janë regjistruar zyrtarisht në kuadër të programit, përfshirë rreth 24.000 prona që nuk ndikohen drejtpërsëdrejti nga punimet e ndërtimit të gazsjellësit. Puna me kadastrën përfshiu regjistrimin e parë të plotë zyrtar të tre fshatrave, duke mbështetur mundësinë e banorëve për të zyrtarizuar veprimet me pronat e tyre.
-
Rast studimor: Trashëgimia kulturore - konservimi i vendit të shenjtë të Baba Bajramit në Shqipëri
Gjatë kontrollit të gjurmës së tubacionit për problematika me ndjeshmëri mjedisore, TAP-i mori dijeni për vendin e shenjtë të Baba Bajramit në afërsi të fshatit Tozhar në Poliçan, në Shqipëri. Varri është vend besimi për komunitetin Bektashi dhe është i klasifikuar si sit trashëgimie kulturore ‘me rëndësi të madhe’ për vendasit.
TAP-i u angazhua me drejtuesit e komunitetit vendas dhe përfaqësues të komunitetit Bektashi për të kuptuar historinë e vendit dhe praktikat e vizitave në të. Ekipi arkeologjik i TAP-it studioi, anketoi dhe dokumentoi vendin dhe rrënojat përreth varrit. U hartua një plan i veçantë ndërtimi për zonën me qëllim ruajtjen dhe shmangien e shqetësimit të vendit të shenjtë.
Varri në vetvete është në majën e kodrës, duke e bërë detyrën e ruajtjes shumë të vështirë. Kështu, u ndërmorën studime të mëtejshme gjeologjike, të cilat sollën si rezultat ndryshimin e gjurmës së TAP-it.
Gjatë fazës së ndërtimit të gazsjellësit u ndërmor monitorim i vazhdueshëm dhe masa për stabilizimin e skarpateve, në kuadër të përpjekjeve të ruajtjes dhe u sigurua akses i pakufizuar në vendin e besimit fetar, duke garantuar kështu vijimësinë e ritualeve fetare.
-
Rast studimor: mbrojtja e pronës së një banori në Shqipëri
Hetimet e kantiereve para ndërtimit në afërsi të fshatit Ullinjas në Berat, Shqipëri nxorën në pah një banesë që po ndërtohej nga një prej fshatarëve si shtëpi e dytë. Në momentin e përmbylljes së censusit dhe inventarit të aseteve, në kuadër të Planit të Restaurimit të Jetesës, godina nuk po ndërtohej dhe nuk ishte regjistruar.
TAP-i hartoi një plan ndërtimi të veçantë për këtë zonë për të lehtësuar ndikimet afatshkurtra dhe afatgjata që vinin si pasojë e ndërtimit të gazsjellësit. U kryen rilevime strukturore të shtëpisë për të dokumentuar kushtet para ndërtimit dhe stabilitetit e ndërtesës dhe themeleve të saj.
TAP nisi të angazhohet që herët me pronarin dhe vijoi angazhimin me të përgjatë gjithë fazave të ndërtimit dhe pas ndërtimit. Ndërtesa e papërfunduar përdorej për magazinimin e pajisjeve dhe furnizimeve bujqësore.
Gjatë fazës së ndërtimit, dridhjet, nivelet e zhurmës dhe pluhurit u monitoruan nga personeli i TAP-it në kantier për të siguruar ndikim sa më minimal mbi qëndrueshmërinë e ndërtesës.
Pas përfundimit të ndërtimit të tubacionit në këtë zonë, TAP-i përmirësoi rrugën ndihmëse që çonte tek kjo pronë dhe i siguroi mbështetje për jetesën pronarit, përveç çka ishte ofruar në kuadrin e programit të Asistencës për Jetesën dhe Mbështetjes Tranzitore, ku ky pronar merrte gjithashtu pjesë.
-
Rast studimor: qetësimi i gjësë së gjallë gjatë ndërtimit
Në afërsi të fshatit Chalkero në Greqi, kafshët e një fermeri ndodheshin më pak se 30 metra nga zona e të drejtës së kalimit. Ndërtimi i tubacionit nënkuptonte se delet e tij nuk kishin mundësi të shkonin në kullotën më të afërt të qëndrueshme. Edhe zhurma që vinte nga veprimtaritë e ndërtimit që po zhvilloheshin në terrenin shkëmbor mund të ndikonte gjënë e gjallë.
TAP-i mbikëqyri rastin me ndihmën e Shkollës së Veterinarisë së Universitetit Aristoteli. Ekspertë të shkollës vizituan fermerin dhe e këshilluan për mënyrën se si të menaxhonte gjënë e gjallë gjatë ndërtimit me qëllim lehtësimin e ndikimit dhe hartuan një program për mbështetjen e jetesës, i cili u zbatua plotësisht nga TAP-i.