Ndërtimi i tubacionit
Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik ka përfshirë planifikim tejet të kujdesshëm, standardet më të larta të cilësisë, inxhinieri të rangut botëror dhe angazhim të fuqishëm për të mbrojtur mjedisin dhe komunitetet që jetojnë pranë gazsjellësit.
TAP-i është 877 kilometra i gjatë: 773 kilometra në pjesën tokësore dhe 105 kilometra në pjesën detare.
Tubacioni në pjesën tokësore
TAP shtrihet përgjatë 772 kilometrave në një terren të shumëllojshëm dhe të ndërlikuar. Ndërtimi i tubacionit ka përfshirë rehabilitimin e një sërë rrugësh dytësore dhe urave në të gjitha vendet tona pritëse. Gjurma u pastrua, u gërmuan kanalet, tubat u salduan dhe u futën në tokë. Në fund, çdo zonë u mbulua dhe u kthye në gjendjen fillestare. Puna për shtrirjen e tubave u ndërmor në ‘zona’ ose seksione, dhe disa vendndodhje paraqitën sfida të konsiderueshme inxhinierike.
Me qëllim mbrojtjen e mjedisit, u përdorën një sërë teknikash të ndryshme për kryqëzimet me rrugët dhe lumenjtë, si shpime me drejtim horizontal dhe mikro-tunele.
Për ndërtimin e tubacionit janë përdorur rreth 55.000 tuba me një peshë të përgjithshme prej rreth 520.000 ton, ose të barabartë me 71 Kulla Ejfel. Tubat u transportuan në kampet kryesore të magazinimit të tubave të TAP-it me 79 mjete lundruese dhe 158 trena brenda për brenda Greqisë. Nga kampet kryesore të magazinimit të tubave, tubat u transportuan më tej në kampet vendore të tubave pranë kantiereve të ndërtimit përgjatë gjurmës së tubacionit.
Tubacioni në pjesën detare
Shtrirja e tubave në shtratin e Detit Adriatik në thellësi prej më shumë se 800 metra, duke përmbushur detyrimin për t’u kujdesur për mjedisin, nuk është detyrë e lehtë. TAP-i kontraktoi liderin e industrisë Saipem për të shtrirë tubacionin në shtratin e detit, duke përdorur një mjet të specializuar lundrimi gjysmë të zhytur.
Tubacioni është i padukshëm nga brigjet e Shqipërisë dhe Italisë. U hartuan qasje të përshtatshme për daljen në det dhe hyrjen në tokë, në përputhje me metodologjinë e ndërtimit të projektit. TAP-i punoi ngushtë me autoritetet mjedisore në Shqipëri dhe Itali për të rënë dakord për një strategji që do të plotësonte kriteret mjedisore. Për shembull, projekti shmangu të gjitha dëmet ndaj algave Posidonia dhe Cymedocea, ndërtimeve biologjike dhe Makias Mesdhetare në pjesën tokësore.
Inxhinieri e rangut botëror
Në shkurt 2018, në afërsi të fshatit Eleusa në Greqi, TAP-i përfundoi një nga shpimet më të gjata me shtytje të llojit të vet: një shpim me drejtim horizontal prej 1.820 metrash nën lumin Axios.
U ndërmorën studime gjeologjike dhe gjeofizike për identifikimin e profilit të duhur të shpimit me mundësi për zgjerim. Veprimtaria e shpimit dhe zgjerimit të boshteve të shpimit u kryen në periudhën nëntor 2017 deri shkurt 2018, duke përdorur një pajisje me peshë 400 ton dhe instrumente zgjerimit të projektuara enkas për të minimizuar forcat e rrotullimit dhe tërheqjes.
Kontraktorët e TAP-it dhe inxhinierët e tyre ndërtuan një segment tubacioni me tuba me diametër 1,2 metra dhe e vendosën të gjithë segmentin e salduar njëherësh. Një sfidë tjetër, ishte se ekipi duhej ta ndërtonte këtë rresht tubash përgjatë një segmenti të harkuar të së drejtës së kalimit, me një kanal pluskimi që kalonte nën rrugën vendore.
U deshën 36 orë për procesin e instalimit të kontrolluar dhe ky instalim u përfunduar pa asnjë ndikim mbi komunitetet vendore apo mjedisin.
Rast Studimor: Shpimi i një mikro-tuneli në malet e Shqipërisë
Në pikën më të lartë të gazsjellësit në Shqipëri, në një lartësi prej më shumë se 1.800 metra, inxhinierët e TAP-it u përballën me terrenin dhe kushtet gjeologjike më të sfiduese dhe të vështira në të gjithë gjurmën e tubacionit.
Pa pasur mundësinë e rigjurmimit, TAP-i vendosi të hapte një mikro-tunel prej 480 metrash nën këtë zonë, për të shmangur instalimin e tubacionit në terren të paqëndrueshëm.
Përveç problematikave teknike që lidhen me një projekt kaq sfidues, ekipet duhet të përballeshin edhe me kushtet e motit dhe të menaxhonin aksesin në një zonë të largët 12 kilometra larg rrugëve të asfaltuara dhe tre orë larg nga kampi bazë.
Shpimi nisi në mes të muajit korrik 2019 dhe deri në mes të muajit gusht 2019 ekipi kishte shpuar rreth 60% të tunelit. Por në këtë pikë makineria e shpimit u bllokua. Së bashku me inxhinierët e kontraktorit, TAP-i shqyrtoi alternativa të ndryshme për tejkalimin e kësaj sfide, duke përzgjedhur të shponte një galeri rikuperimi dhe të zhbllokonte seksionin e shpuar tashmë, duke prerë dhe larguar segmentet e tubit prej betoni që ishin tharë.
Kështu, deri në nëntor të vitit 2019, ekipi i shpimit arriti me sukses të rikuperonte tunelin dhe shkoi në të boshtin pritës.
TAP ndërtoi edhe disa mikro-tunele të tjera në Shqipëri (shih mikro-tunelin në Skrapar) si dhe një sërë instalimesh të tjera pa kanal përgjatë gjurmës së gazsjellësit.