Spring naar inhoud
Urgjencë

Pronarët dhe përdoruesit vendas të tokave

Gazsjellësi Trans Adriatik u projektua dhe u ndërtua në konsultim me komunitetet vendore në të tre vendet pritëse, ku pronarët e tokave u kompensuan për tokën e kërkuar për ndërtim ose për tokën në përdorim të përhershëm.

Kush u prek nga ndërtimi i gazsjellësit?

Për të siguruar të drejtat e tokës që kërkohet për gazsjellësin, TAP-i identifikoi pronarët ligjorë dhe regjistroi parcelat e tokës së prekur nga projekti. Kjo përfshiu tokën përgjatë gjurmës së TAP-it ose tokën e kërkuar për instalimet sipërfaqësore, si stacionet e valvulave të bllokimit.

Kontraktorët e TAP-it i vizituan personalisht pronarët dhe përdoruesit e prekur të tokës për të hartuar edhe inventarin e aseteve. TAP-i i kompensoi pronarët dhe përdoruesit përkatës të tokave përpara fillimit të punimeve. Atëherë kur nuk ishte e mundur që pronarët dhe përdoruesit e të tokës të paguheshin drejtpërdrejtë, TAP-i i transferoi kompensimet përkatëse në llogari escrow.

Në Shqipëri:

Në rastet kur kompensimi nuk është paguar përpara fillimit të punimeve për shkak të çështjeve ligjore ose për arsye të tjera (pronarët e tokave kanë ndërruar jetë ose ndodhen jashtë vendit, çështje të regjistrimit të pronësisë, etj.), shuma e kompensimit depozitohet në një llogari escrow.

Për të aksesuar fondet e depozituara në llogarinë escrow, PAP-të (Personat e Prekur nga Projekti) janë të detyruar të paraqesin pranë TAP-it të njëjtat dokumente që kërkoheshin për të gjithë PAP-të e tjerë, duke përfshirë për shembull dhe sipas rastit:

• certifikatën e pronësisë lëshuar nga zyra kadastrale, duke përfshirë kartelën e përditësuar të pasurisë së paluajtshme, hartën treguese kadastrale;

• vërtetim bankar me numrin e llogarisë dhe IBAN;

• një kopje të kartës së identitetit;

• certifikatën familjare;

• aktin e trashëgimisë (kur pronarët e tokës nuk jetojnë më); 

• verifikimin për mospasjen e çështjeve gjyqësore aktive, asnjë urdhër konfiskimi nga përmbaruesit

Për më shumë informacion, ju mund të kontaktoni TAP nëpërmjet telefonit + 355 (0)69 6098188 ose nëpërmjet adresës së email-it: GrievanceAlbania@tap-ag.com.

Për t'u theksuar se të drejtat e Aksesit të Tokës për ndërtimin e gazsjellësit TAP dhe paketat përkatëse të kompensimit, janë përcaktuar në Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave (të publikuara në Gazetën Zyrtare dhe në shtypin periodik duke përfshirë çdo amendament) bazuar në Marrëveshjen e Qeverisë Pritëse (ratifikuar me Ligjin nr. 116/2013,  datë 15.04.2013).

Parimet e kompensimit

TAP-i zhvilloi një metodologji transparente dhe të shëndoshë për llogaritjen e kompensimeve bazuar në vlerën e tregut dhe kostot përkatëse. Kjo përfshiu agjencitë vendore të pasurive të paluajtshme dhe agronomët për vlerësimin e vlerave të zëvendësimit të tokës dhe të kulturave bujqësore.

Kompensimi për blerjen e tokës

TAP e bleu tokën e nevojshme për stacionet e kompresorëve, stacionet e valvulave bllokuese apo instalimet e tjera sipërfaqësore. Kompensimi u dha për tokën, strukturat dhe objektet mbi tokë, si dhe për çdo kulturë shumëvjeçare ose gjithëvjetore bujqësore, me vlerë zëvendësimi.

Kompensimi për tokën e marrë me qira gjatë ndërtimit për objektet e përkohshme

Toka e nevojshme për objektet e përkohshme, si p.sh sheshmagazinimin e tubave dhe kampeve të ndërtimit, iu lëshua TAP-it me qira për dy vjet dhe iu kthye plotësisht pronarëve, pa pasur asnjë kufizim lidhur me kultivimin e asaj toke në të ardhmen. U kompensua edhe prodhimi i munguar bujqësor gjatë ndërtimit për çdo kulturë shumëvjeçare ose gjithëvjetore bujqësore, me vlerë zëvendësimi.

Kompensimi për kufizimin e pronësisë dhe qiramarrjen e tokës gjatë ndërtimit

Toka e ndodhur në të drejtën e kalimit u dha me qira gjatë fazës së ndërtimit, në përputhje me ligjin. Sipas rastit, u kompensuan kufizimet e pronësisë, kufizimet lidhur me ndërtimin, tokën e marrë me qira gjatë fazës së ndërtimit dhe prodhimi i munguar bujqësor.

Angazhimi me komunitetet

Gazsjellësi Trans Adriatik është i angazhuar të ketë dialog të hapur dhe të vendosë marrëdhënie afatgjata besimi me komunitetet dhe palët e interesit përgjatë gjurmës së gazsjellësit.
Lexo më shumë

Rastet e veçanta

Në disa raste, gjatë ndërtimit, TAP-it i duhej të kalonte në një pjesë të një parcele toke që nuk ishte e nevojshme për ndërtimin e projektit. Kjo gjë mund t’i zvogëlonte aq shumë disa pjesë toke, sa ta bënin kultivimin e tyre të pavlerë nga pikëpamja ekonomike. Kjo njihet edhe si “tokë jetime”.

TAP-i e shqyrtoi çdo rast më vete dhe kur ishte e nevojshme, u dha kompensim njësoj si për parcelat e plota të tokës.

Përdoruesit e tokës

Në rastet kur toka kultivohej nga një përdorues toke dhe jo nga pronari i tokës, janë kompensuar të dy palët. Me fjalë të tjera, është kompensuar pronari për servitudin dhe qiradhënien, si dhe përdoruesi për prodhimin e munguar bujqësor. Në mënyrë të ngjashme, në rastet kur toka në pronësinë e bashkisë apo toka publike është përdorur nga një fermer privat, është dhënë kompensim edhe për përdoruesin e tokës.

Raportet ESG

TAP ka publikuar Raportet vjetore Mjedisore, Sociale & Mirëqeversje (ESG) prej vitit 2021. Raportet shpalosin angazhimet e Kompanisë në tematikat Mjedisore, Sociale & Mirëqeversje (ESG).
Lexo më shumë