Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP i Dhuron Qytetarëve të Tiranës 1’000 selvi

19 mars 2018

Tiranë, Shqipëri. Me datë 7 Mars 2018, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i ka dhuruar Bashkisë së Tiranës 1’000 selvi që do të mbillen në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Kjo nisëm synon shtimin e hapësirës së gjelbër dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët e kryeqytetit. Kjo është sasia më e madhe e selvive që ka dhuruar deri më sot një sipërmarrje private për qytetin e Tiranës.

 

Pemët e para u mbollën nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj; zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko; Menaxheri i Përkohshëm i TAP për Shqipërinë, Michele Elia, dhe punonjësit e gazsjellësit TAP.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi rëndësinë që Bashkia i ka dhënë rritjes së sipërfaqeve të gjelbëruara: “I jam 1’000 herë mirënjohës TAP për 1’000 selvitë dhe besoj se kanë dhënë një shembull fantastik se çfarë do të thotë të jesh një korporatë e përgjegjshme. TAP është një biznes që si qëllim kryesor ka transportin e energjisë nga Kaspiku drejt Evropës por teksa e bën këtë ka një sjellje të përgjegjshme.”

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko, falenderoi TAP-in për bashkëpunimin e deritanishëm, por edhe për përgjegjësinë që ka treguar për të kthyer në gjendjen e mëparshme të gjithë terrenin mjedisor ku kalon gjurma e gazsjellësit. “Kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë për ndërtimin e veprës dhe ky kontribut nuk është i vetmi që TAP-i që ka dhënë për mjedisin. Prandaj, e faleminderoj TAP-in për të gjitha investimet që ka kryer në Shqipëri, për ndihmën sociale dhe mjedisore që po jep”, tha Aliko.

Në fjalën e tij Menaxheri i Përkohshëm i TAP për Shqipërinë, Michele Elia, tha: “Mjedisi dhe siguria teknike janë shumë të rëndësishme për TAP. Ne kemi treguar përkushtimin tonë karshi këtyre përparësive përgjatë gjithë fazës së ndërtimit të gazsjellësit duke aplikuar standardet më të larta të industrisë. Mbjellja e pemëve është një investim i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen dhe ne të gjithë duhet të kontribuojmë për të përmirësuar mjedisin për brezat e ardhshëm.”

1000 selvitë e dhuruara nga ana e TAP për qytetarët e Tiranës, si pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP, janë të larta mbi 2.5 metra dhe janë blerë nga furnitorë të certifikuar. Të gjitha selvitë do të mbillen brenda territorit të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës duke populluar një zonë që më parë ka qenë e zhveshur nga pemët.

Në bashkëpunim me Bashkitë e Korçës, Skraparit, Poliçanit, Maliqit, Devollit, Beratit, Urës-Vajgurore dhe Fierit, TAP do të pyllëzojë rreth 100 hektar tokë dhe do të përmirësoj mbi 20 hektarë kullota si pjesë e përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe përkushtimit për të përmirësuar zonat e prekura nga ndërtimi i segmentit tokësor të gazsjellësit. Pyllëzimi dhe përmirësimi i kullotave është një proces më vete nga kthimi i tokës në gjendjen e mëparshme, i cili po kryhet nga kontraktori i TAP.

Gjithashtu, në kuadër të Programit të Asistencës për Jetesën dhe Mbështetjes Tranzitore, 70’600 fidanë pemësh frutore dhe 230 ton pleh kimik do t’ju ofrohen fermerëve kultivues të pemëve frutore të prekur nga ndërtimi i gazsjellësit.