Spring naar inhoud
Urgjencë

TAP Fillon Operimin Tregtar

Gazsjellësi 878 km i gjatë, pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, hyn në fazën operacionale

Baar, Zvicër. Katër vjet e gjysmë pas përurimit të nisjes së ndërtimit të tubacionit në Selanik, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), një sistem i transportimit të gazit prej 878 km i gjatë, i cili kalon nëpër Greqi, Shqipëri, detin Adriatik dhe Itali, filloi operimin tregtar. Një ekip i madh profesionistësh të industrisë së gazit punuan me përkushtim dhe efikasitet në kushte sfiduese për të përfunduar një projekt strategjik të infrastrukturës energjetike, në mënyrë të sigurtë dhe në kohë.

TAP-i është degëzimi evropian i Korridorit Jugor të Gazit, një projekt që do të transportojë 10 milionë kubikë metër (bcm/a) të një burimi të ri furnizimi me gaz nga Azerbajxhani, në shumë tregje të Evropës. Sistemi i TAP-it operon në përputhje me standardet e cilësisë, shëndetit, sigurisë dhe mjedisit, të njohura ndërkombëtarisht dhe është projektuar me potencialin për të dyfishuar kapacitetin e tij deri në 20 bcm/a.

Luca Schieppati, Drejtori Menaxhues i TAP-it, u shpreh: “Sot, një vizion afatgjatë u bë realitet! Jam shumë krenar për këtë arritje, që u bë e mundur pikë së pari, falë përkushtimit dhe angazhimit të njerëzve tanë e gjithkujt tjetër që është përfshirë, besimit të patundur e mbështetjes së palëkundur të aksionerëve, të gjitha qeverive në zinxhirin e vlerave dhe Bashkimin Evropian, si dhe kontraktorëve e furnitorëve që punuan në këtë projekt. Si një operator i ri i sistemit të transmetimit, i zhvilluar dhe ndërtuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të industrisë, TAP-i mundëson një diversifikim të dyfishtë: një korridor i ri, i besueshëm dhe i qëndrueshëm energjie, si dhe një burim gazi për miliona përdorues evropianë, për dekadat që do të vijnë.”

Murad Heydarov, Drejtori i Bordit Drejtues të TAP-it, shtoi: “Korridori Jugor i Gazit është transportuesi pionier i gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë dhe një nga sistemet më moderne dhe të besueshme, aktualisht të disponueshme, për transportimin e energjisë. Si një komponent kyç i Korridorit Jugor të Gazit, 3,500 km të gjatë, TAP-i ndërthur cilësitë strategjike dhe konkurruese në treg. Ai bën të mundur që Evropa të furnizohet edhe nga një tjetër burim, në mbështetje të objektivave kryesore të BE-së për të ndërtuar një treg të integruar të energjisë, si dhe një miks energjetik të qëndrueshëm, të sigurtë dhe të diversifikuar, duke kontribuar në rrugën e nisur të kalimit drejt energjisë së pastër.”

Disa fakte dhe shifra mbi çfarë ka arritur projekti TAP deri tani:

  • Kalon përmes Greqisë (550 km), Shqipërisë (215 km), nën detin Adriatik (105 km) dhe mbërrin në Itali (8 km).
  • Ka shtruar rreth 55,000 tuba, me një peshë totale prej 520,000 tonë, nga një lartësi prej 2,100 m në malet e Shqipërisë deri në thellësinë 810 m në detin Adriatik.  
  • Janë dashur mbi 50 milionë orë pune dhe janë përshkruar rreth 140 milionë kilometra, pa asnjë incident madhor – një rekord sigurie në punë i rangut botëror.  
  • Është siguruar një financim i projektit prej 3.9 milione € dhe gjithçka është bërë në përputhje me kërkesat strikte të kreditorëve për aspektet sociale dhe mjedisore.
  • TAP-i ka ndërtuar marrëdhënie besimi përmes angazhimit të vazhdueshëm me komunitetet përgjatë gjurmës së gazsjellësit dhe ka implementuar një sërë investimesh sociale dhe mjedisore, duke përmirësuar jetesën e tyre.
  • Ndërtimi i një kulture të fortë në kompani, mbështetur në vlerat e ekselencës, njerëzve, integritetit dhe përgjegjshmërisë, të cilat përmblidhen në moton “mënyra se si i arrijmë rezultatet tona është po aq e rëndësishme sa vetë rezultatet.”  

Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Aksionarët e TAP-it kanë miratuar rezolutën për zhvillimin dhe ndërtimin e projektit në fund të vitit 2013.

Tokë e kthyer në gjendje të mëparshme në Shqipëri, tetor 2020
Pamje nga lart e stacionit të kompresorit të TAP-it në Kipoi, tetor 2019
Pamje nga lart e stacionit të një valvule bllokuese në Shqipëri, tetor 2020
Tubacione dhe valvula izoluese në kullat ftohëse në stacionin e kompresorit në Kipoi, tetor 2019
Tokë e kthyer në gjendje të mëparshme në Shqipëri, tetor 2020
Staconi i një valvule bllokimi në Shqipëri, tetor 2020
Pamje nga lart e terminalit pritës të tubacionit në Itali, qershor 2020
Tokë e kthyer në gjendje të mëparshme në Itali, maj 2020

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Denizit në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz për vendet e Evropës Juglindore. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

Si segment kyç i Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është strategjikisht dhe ekonomikisht i rëndësishëm për Evropën dhe thelbësor në sigurimin e aksesit në burimet e reja të gazit natyror. TAP-i luan një rol të veçantë në forcimin e sigurisë për furnizimin me energji të Evropës, diversifikimin e furnizimit, gjithashtu edhe për arritjen e objektivave të dekarbonizimit.

Kontakt për Media: gentian.minga@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube