Spring naar inhoud
Urgjencë

TAP Dhuron Flotë me Automjete dhe Makineri për Bashkinë Berat

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i dhuroi bashkisë Berat një flotë prej 8 automjetesh dhe makineri të reja, pjesë e programit të TAP për Investime Sociale dhe Mjedisore (SEI).

Berat, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i dhuroi bashkisë Berat një flotë prej 8 automjetesh dhe makineri të reja, pjesë e programit të TAP për Investime Sociale dhe Mjedisore (SEI). Automjetet dhe makineritë do të përdoren për pastrimin, gërmimin, mirëmbajtjen e infrastrukturës, për transportin e njerëzve dhe për transportin e materialeve.

Ky dhurim nga ana e TAP arrin vlerën 455,000 euro dhe përbëhet nga: dy ekskavatorë, një kamion, një rul, një mjet bobcat, dy mjete për transportin e personelit dhe materialeve, dhe një kamion për punimet në lartësi. Kjo flotë me mjete të reja, të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së, do të përdoret nga Bashkia Berat për kryerjen e punëve publike, si mirëmbajtje, riparime dhe ndërtime, duke synuar maksimizimin e cilësisë dhe të shpejtësisë së shërbimit që ofrohet për komunitetet vendase.

Ervin Demo, kryetar i Bashkisë Berat, komentoi: “Falë dhurimit të TAP për Bashkinë e Beratit, flota jonë e mjeteve është konsoliduar. Kjo është një ditë e shumëpritur për qytetarët e Beratit. Bashkëpunimi ynë me TAP-in nuk kufizohet vetëm në këto mjete. Unë besoj se ne jemi me shumë fat të kemi një partner të rëndësisë strategjike si TAP, prezent në bashkinë tonë. Sot ne kemi marrë instrumentin për të bërë shumë punë të tjera që do të kenë edhe gjurmën e TAP në realizimin e tyre."

Malfor Nuri, Menaxher i TAP-it prë Shqipërinë tha: “Jemi të lumtur që përfundojmë një tjetër investim të rëndësishëm të Programit Social dhe Mjedisor, (SEI). TAP ka zbatuar disa projekte (SEI) në Bashkinë Berat, si rehabilitimi i shkollave dhe kopshteve për më shumë se 600 fëmijë, sigurimi i mobiljeve për Bibliotekën e Qytetit dhe pastrimi i shtratit të lumit Osum. Ne kemi punuar gjithmonë në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe mbetemi të përkushtuar për të ruajtur cilësinë e jetës së komuniteteve lokale përgjatë gjurmës së gazsjellësit.”

Programi TAP SEI në Shqipëri, i cili tashmë është në fazën përfundimtare, ka vlerën e 14 milionë euro investime në projekte sociale dhe mjedisore në të gjitha bashkitë përgjatë gjurmës së tubacionit.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari (IGB). Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.

Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline

Kontakt për Media në anglisht: media@tap-ag.com