Spring naar inhoud
Urgjencë

TAP shënon pesë vite operim të sigurtë dhe të besueshëm

TAP feston pesë vite operim të sigurtë dhe të besueshëm si dhe përfundimin teknik të projektit për nivelin e parë të zgjerimit të kapacitetit të tij.

Baar, Zvicër – Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) filloi operimin tregtar pesë vite më parë, më 15 nëntor 2020 dhe më 31 dhjetor, molekulat e para të gazit Kaspik me destinacion Evropën filluan të rrjedhin përgjatë sistemit të transportit të porsandërtuar. Që atëherë TAP është bërë një Operator i Sistemit të Transmetimit tërësisht i kompletuar.

Pesë vite më vonë, 2025 shënon një vit me arritje të rëndësishme. TAP -i tani ka transportuar më shumë se 52 miliardë metër kub gaz natyror për në Evropë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, gazsjellësi operuar në mënyrë të besueshme dhe pa ndërprerje, duke mbajtur një performancë shëndetësore, sigurie dhe mjedisore të klasit të lartë në të gjitha vendet pritëse.

TAP gjithashtu ka përfunduar me sukses punimet e projektit në stacionin e kompresorëve Kipoi në Greqi, për nivelin e parë të zgjerimit të kapacitetetit, i cili do të sigurojë 1.2 miliardë metër kub shtesë në vit të kapacitetit afatgjatë për Evropën, nga 1 janari 2026. Punimet e projektit të zgjerimit, të filluara në janar 2024, u përfunduan përpara afatit, brenda buxhetit, në mënyrë të sigurt dhe pa ndërprerë flukset e vazhdueshme të gazit, duke dëshmuar përsosmëri planifikimi dhe qëndrueshmëri operacionale.

Luca Schieppati, Drejtor Menaxhues i TAP-it, tha: "Pesë vitet e para të operacioneve pasqyrojnë përkushtimin dhe angazhimin e ekipeve dhe kontraktorëve tanë, dhe mbështetjen e vazhdueshme të aksionarëve tanë. Jam krenar për atë që kemi arritur së bashku dhe jam i sigurt në rolin e vazhdueshëm strategjik të TAP në sigurinë energjetike dhe tranzicionin e Evropës në dekadat në vijim."

Murad Heydarov, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të TAP-it, tha: "Si pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP sjell gaz natyror nga një burim i ri në Evropë, duke forcuar sigurinë dhe diversifikimin e burimeve energjetike të kontinentit. Ndërsa Evropa shkon drejt një të ardhmeje me karbon më të ulët, jam i bindur se TAP do të mbetet një kontribuues i rëndësishëm për një sistem energjie elastik dhe fleksibël."

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 877 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

Pikat e daljes së TAP -it në Greqi dhe Itali mundësojnë furnizimin e mëtejshmëm me gaz nga Azerbajxhani të disa tregjeve evropiane.  TAP-i gjithashtu lehtëson furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve ekzistues dhe të ardhshëm. TAP bashkohet me Interkonektorin Greqi - Bullgari (IGB), i cili filloi aktivitetin tregtar në tetor 2022, duke furnizuar Bullgarinë me gaz Kaspik, duke përforcuar sigurinë e furnizimit me energji edhe në një tjetër shtet Evropian.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.

Aksionarët e TAP-it janë: bp (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (20%), Enagás (20%).