TAP Shënon Fillimin e Ndërtimit në Shqipëri
Kjo ngjarje u shënua nga një ceremoni në afërsi të qytetit të Fierit, ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw. Kryeministri Rama dhe Ministri i Energjisë Gjiknuri theksuan rëndësinë e projektit për Shqipërinë si një nga investimet më të mëdha të huaja në vend që do të ketë një ndikim pozitiv në sektorin energjetik të vendit dhe do të ndihmojë në stimulimin e investimeve të tjera të huaja në vend.
Tiranë, Shqipëri. Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG shënoi sot fillimin e ndërtimit të pjesës tokësore të gazsjellësit në Shqipëri.
Kjo ngjarje u shënua nga një ceremoni në afërsi të qytetit të Fierit, ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw.
Gjatë fjalës para pjesëmarrësve në këtë ceremoni ku ishin përfaqësues të autoriteteve vendore dhe palëve të tjera kyçe të interesit, Kryeministri Rama dhe Ministri i Energjisë Gjiknuri theksuan rëndësinë e projektit për Shqipërinë. Si një nga investimet më të mëdha të huaja në vend, TAP-i do të ketë një ndikim pozitiv në sektorin energjetik të vendit dhe do të ndihmojë në stimulimin e investimeve të tjera të huaja në vend, thanë ata.
Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw tha: “Jam me të vërtetë i gëzuar që sot jam këtu me ju. TAP-i ka bërë një progres shumë të madh gjatë këtyre pak viteve të fundit dhe këtë e tregon qartë ajo çka mund të shihni sot këtu: tuba çeliku në tokë, makineri të rënda në sfond, pastrimin e korridorit të kalimit dhe kanalet që po hapen për shtrirjen e tubave. E gjithë kjo është në sajë të qindrave dhe mijërave orëve të punës të sigurtë.
Dëshiroj të përfitoj nga rasti të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për mbështetjen e saj të palëkundur për projektin tonë dhe për bashkëpunimin e ngushtë, që ka hapur rrugën për realizimin e TAP-it dhe dorëzimin e projektit”.
Në Shqipëri progresi i deritanishëm i ndërtimit të TAP-t përfshin:
- 23 km Korridore Kalimi të pastruara
- 12 km tuba të lidhur
- 8 km tuba të salduar
- 56 % e tubave janë dorëzuar – Tuba linje & bërryla vazhdojnë të mbërrijnë në Durrës (që prej prillit të vitit 2016)
- Më shumë se 92% e rrugëve ndihmëse dhe urave (progres i kombinuar) janë përfunduar; rreth 90% e fuqisë punëtore janë shqiptarë.
TAP-i vazhdon të jetë një aktor aktiv në Shqipëri, veçanërisht në rajonet ku projekti vepron. Projektet e investimeve sociale janë planifikuar dhe zbatuar me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të përfaqësuesve të komuniteteve vendore.
FUND
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.
TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe ai nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht në fillim të vitit 2020.
Struktura aksionare e TAP-it përbëhet nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Pyetje nga media: agim.fjolla@tap-ag.com
Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.al | www.twitter.com/TAP_Shqiperi