Spring naar inhoud
Urgjencë

TAP merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Rajonit të Vjosës

Tiranë, Shqipëri. Më 25 shtator, TAP mori pjesë në Forumin e Parë Ndërkombëtar të Investimeve i fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Rajonit të Vjosës. Në forumin e organizur nga Bashkia Këlcyrë dhe Konfindustria, ishin të pranishëm Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro, kryetarë të bashkive të Rajonit të Vjosës, Ambasadorja e Greqisë për Shqipërinë, Znj, Sophia Philipidou, përfaqësues nga institucione dhe organizata vendase dhe ndërkombëtare.

Në forum u paraqitën potencialet e mëdha të zhvillimit të Rajonit të Vjosës nga malet e Pindit ne Greqi deri në derdhjen e Vjosës në Detin Adriatik, dhe njëkohësisht problematikat emergjente mjedisore. U diskutuan disa çështje: menaxhimi i ujërave të zeza, mbetjet e ngurta, menaxhimi i ujërave të basenit të Vjosës; zhvillimi infrastrukturor dhe urban, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pyllëzimi, vendosja e standardeve për turizmin, si dhe nevoja për të zhvilluar politika të qëndrueshme për Rajonin e Vjosës të parë si një të tërë.

Z. Malfor Nuri, Drejtor i TAP për Shqipërinë ndau njohuritë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të aplikuara nga TAP gjatë zhvillimit të projektit dhe në fazat e ndërtimit, për përkujdesjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, për trashëgiminë kulturore dhe për zhvillimin socio-ekonomik të zonave përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai foli për metodologjinë e aplikuar për mbrojtjen e mjedisit: studimet multidisiplinare të kryera para fazës së ndërtimit, teknologjinë gjatë fazës së ndërtimit si dhe parimet zbutëse, duke ndarë disa raste studimore, të cilat pasqyruan se si janë manaxhuar sfida të ndryshme.

Znj, Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, tha: “Kemi të gjithë vëmendjen, së bashku me komunitetet, pushtetet vendore, me miqtë dhe fqinjët, por edhe me shumë partnerë të tjerë, siç janë faktorët e mëdhenj investues me një logjikë dhe filozofi miqësore ndaj mjedisit, siç është TAP, me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyer prej disa vitesh edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të zones.”

Z. Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, tha: “Eshtë e sigurt se nëse do të dimë të krijojmë projekte të qarta për zhvillim të qëndrueshëm, sipas Agjendës së Gjelbër të BE-së, dhe të mbështetur në bashkëpunimin ndërkufitar, financimet ndërkombëtare jo vetëm nuk do të mungojnë por njëkohësisht do të rritet shumë edhe efiktiviteti i përdorimit të fondeve buxhetore qëndrore, vendore dhe të biznesit privat. Vjosa është pasuri jo vetëm e Shqipërisë dhe Greqisë, por është e gjithë Evropës. Gjithashtu, modeli i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të Vjosës, mund të përsëritet për t’u zbatuar në rajone të tjera, qoftë në Shqipëri apo Greqi. Të mos harrojmë, se në Shqipëri, rajoni i Vjosës përbën mbi 11% të sipërfaqes së vendit dhe mbi 10% të ekosistemit të tij. "

Z. Malfor Nuri, Drejtor i TAP për Shqipërinë, falënderoi autoritetet shqiptare për mbështetjen në zbatimin dhe realizimin e projektit TAP dhe theksoi: “Ne do të vazhdojmë të punojmë me komunitetet ku TAP operon ashtu sikurse vëmendja ndaj mjedisit do të vazhdojë te jetë në qendër të angazhimeve tona. Eshtë e rëndësishme nxitja e ardhjes në vend të investitorëve të huaj, seriozë, që zbatojnë praktikat më të mira ndërkombëtare, dhe që me përvojën e tyre do të jenë vlerë e shtuar më tej, në mbrojten e Rajonit te Vjosës.”

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të pritshem. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari (IGB). Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.

Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline

Kontakt për Media në anglisht: media@tap-ag.com