TAP dhe Raiffeisen Bank dhurojnë 36 stola VIENA për sheshin “Skënderbej” në Tiranë
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Raiffeisen Bank i dorëzuan Bashkisë së Tiranës 36 stola VIENA, dhuratë e këtyre dy kompanive për sheshin “Skënderbej”. Të pranishëm gjatë dorëzimit dhe vendosjes së stolave ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, Ulrike Andres, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler.
Tiranë, Shqipëri. Me datë 11 janar 2018, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Raiffeisen Bank i dorëzuan Bashkisë së Tiranës 36 stola VIENA, dhuratë e këtyre dy kompanive për sheshin “Skënderbej”.
Të pranishëm gjatë dorëzimit dhe vendosjes së stolave në shesh ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, Ulrike Andres, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se stolat e rinj do të tërheqin më shumë njerëz në shesh. “Kjo dhuratë i jep më shumë shpirt sheshit. Sheshet janë objekte infrastrukture, urbanistike, por nëse nuk kanë shpirt, njerëz dhe jetë, bëhen të padobishëm për qytetin. U jam shumë mirënjohës TAP, Raiffeisen Bank dhe Ambasadës së Austrisë dhe besoj se kontributi i një qyteti nuk është monopol i bashkisë”, u shpreh ai.
“Tirana është një qytet shumë mikpritës, ku unë ndihem si në shtëpinë time. Sot, duke parë sheshin ‘Skënderbej’ me stolat e rinj, Tirana, më duket akoma më e afërt, pasi stola të njëjtë kemi edhe në Vjenë, ku unë banoj dhe kam familjen. Dhurimi i stolave VIENA për Bashkinë e Tiranës është pjesë e investimeve sociale dhe mjedisore të TAP në Shqipëri. Na vjen mirë që për t’i bërë këtë dhuratë gjetëm gjuhën e përbashkët edhe me Raiffeisen Bank, Ambasadën e Austrisë dhe Bashkinë e Vjenës.” tha Drejtoresha për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, Ulrike Andres.
Stolat VIENA janë prodhuar nga Muzeu Quartier i Vjenës dhe vlera për 36 stolat që iu dhuruan Bashkisë së Tiranës është 70,000 euro, ku TAP ka kontribuar me 42,000 euro dhe Raiffeisen Bank me 28,000 euro. Gjithashtu, Ambasada e Austrisë në Shqipëri dhe Bashkia e Vjenës kanë dhuruar 5 stola të tjerë VIENA.
Tashmë në sheshin “Skënderbej” ndodhen 41 stola VIENA, të cilët përveç funksionit parësor si të tillë, janë përdorur nga Bashkia e Tiranës për të t’i dhënë akoma më shumë ngjyra sheshit kryesor të qytetit. Stolat shumë-ngjyrësh VIENA janë shumë popullorë në qytetet europiane, si në Vjenë apo Mynih.