Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Përfundon Dorëzimi i Tubave të TAP në Shqipëri, Greqi dhe Itali

16 tetor 2017

Baar, Zvicër. Në datën 10 tetor 2017, dërgesa e fundit me tuba çeliku për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) mbërriti në Selanik të Greqisë, duke shënuar kështu përfundimin e transportit dhe dorëzimin të të gjithë tubave në vendet pritëse të TAP-it. 

 

Transporti i 55.000 tubave dhe bërrylave të TAP-it u krye në rreth një vit e gjysmë. Tubat e parë mbërritën në Durrës, Shqipëri në prill të vitit 2016 dhe transporti për në Greqi nisi një muaj më vonë, në maj të vitit 2016.

  • Për ndërtimin e TAP-it po përdoren rreth 55.000 tuba (32,000 në Greqi; 13,000 në Shqipëri; 9,150 në pjesën detare dhe 670 në Itali)
  • Pesha e të gjithë tubave arrin në 520.000 ton: ose rreth 71 herë sa Kulla Ejfel.
  • Pesha e një tubi të vetëm me gjatësi 18 metra shkon nga 9,3 ton në 16,3 ton, në varësi të trashësisë së mureve të tubit.
  • Tubat u transportuan në sheshet kryesore të magazinimit të TAP-it nga 79 mjete detare me madhësi të ndryshme dhe nga 158 trena në Greqi. Shkarkimi i anijeve më të mëdha zgjati mesatarisht pesë ditë.
  • Tubat u prodhuan nga Corinth Pipeworks (Greqi) dhe Salzgitter Mannesmann International (Gjermani).

John Haynes, Drejtori i Projektit TAP, theksoi: “Kjo është një etapë tjetër e rëndësishme drejt realizimit me sukses të projektit. I gjithë procesi i logjistikës për dorëzimin e tubave u krye në përputhje me afatet e projektit dhe sipas standardeve më të larta të sigurisë. Duke llogaritur që secili tub është lëvizur rreth shtatë herë nga prodhimi në fabrikë deri në mbërritjen në sheshet tona kryesore të magazinimit, ne jemi krenarë që ky proces masiv përfundoi pa asnjë incident në vendet tona pritëse. Dëshiroj të falënderoj kontraktorët dhe nënkontraktorët tanë që ishin përgjegjës për dërgesën, shkarkimin dhe transportimin e tubave të TAP-it, për profesionalizmin e tyre, punën e madhe dhe përkushtimin ndaj sigurisë.”

Tubat janë transportuar më tej nga sheshet kryesore të magazinimit drejt shesheve në afërsi të kantiereve të ndërtimit përgjatë gjurmës së tubacionit.

 

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan në Evropë. Tubacioni prej 878 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë në afërsi të Kipoit, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, e më pas do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut. 

Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në disa vende të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, dhe vende të tjera. Dalja e TAP-it në tokë në Itali ofron mundësi të shumëfishta për transport të mëtejshëm të gazit natyror nga Kaspiku në disa prej tregjeve më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria. 

TAP-i do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai do të jetë një burim madhor i investimit të huaj direkt dhe ai nuk është i varur nga grante apo subvencione. Ndërkohë që shitjet e para në Gjeorgji dhe Turqi synohen për fundin e vitit 2018, dorëzimet e para në Evropë do të vijojnë në vitin 2020. 

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetje nga Media: media@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram