Rehabilitimi i shkollës “Thanas Ikonomi” në fshatin Grecalli, Fier
Shkolla “Thanas Ikonomi” ndodhet në fshatin Grecalli, në Bashkinë e Fierit. Ndërtuar në vitin 1975, shkolla ishte shkatërruar gradualisht deri në gjendjen që disa nxënës ndaluan së frekuentuari atë, për shkak të kushteve të sigurisë. TAP-i vendosi t’i rehabilitojë të gjitha ambientet e jashtme dhe të brendshme të shkollës. Tashmë më shumë se 210 nxënës ndjekin mësimin në kushte më të mira.
€340,000 investim
Punimet përfshinë suvatimin e mureve dhe shtrimin e pllakave; zëvendësimin e dyerve dhe dritareve; instalimin e linjave elektrike dhe internetit; riparimin e banjave; etj. Gjithashtu u blenë mobilje të reja.
Gjithashtu rëndësi e veçantë iu kushtua efikasitetit të energjisë dhe ruajtjes së temperaturës. Kjo u arrit duke bërë izolimin termik të ndërtesës dy-katëshe. Për më tepër, u instaluan shkallë emergjence dhe sistem i mbrojtjes nga zjarri, duke e bërë një nga shkollat e para në vend që përfitoi nga standardet e larta të sigurisë.
Punimet nisën në prill të vitit 2017 dhe zgjatën katër muaj. Projekti mundësoi hapjen e rreth 70 vendeve të punës. Në tetor të vitit 2017, u zhvillua një ceremoni për inaugurimin e shkollës së rinovuar.
Punimet u drejtuan nga kompania shqiptare Agbes nën mbikëqyrjen e Kompanisë për Menaxhimin e Projekteve të Ndërtimit, Abkons.