Spring naar inhoud
Urgjencë

TAP-i investon 335,478 euro në ndërtimin e tregut të gjësë së gjallë në Fier

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Bashkia Fier kanë përfunduar ndërtimin e tregut të gjësë së gjallë në Fier, i cili iu ofron një hapësirë tregtimi të re dhe me kushte më të përshtatshme fermerëve. Projekti është një bashkëfinancim i Bashkisë së Fierit dhe TAP-it, i cili ka kontribuar me 335,478 euro (si pjesë e programit të Investimeve Sociale dhe Mjedisore (SEI) në Shqipëri.

Tregu i gjësë së gjallë është projektuar nga Studioja Metropolis, me mbështetjen financiare të USAID ndërsa pjesa e punimeve që u realizuan nga TAP, u menaxhuan nga Abkons, kontraktori i TAP për investimet sociale dhe mjedisore.

Projekti, me një sipërfaqe totale prej 13,149 m², përfshin zyra për veterinerin dhe stafin drejtues, ndërtimin e një hapësire për kafshët, një thertore emergjence, tualete dhe një parking për makina të vogla e të rënda. Projekti është i një rëndësie të veçantë për zonën, duke qenë se as Fieri dhe as qytetet fqinje (Rroskovec, Mallakastër dhe Lushnje) nuk kanë pasur deri më sot një treg të tillë. Tregu është ndërtuar në një zonë ku ka akses në rrugët kryesore rajonale.

Armando Subashi, kryetari i Bashkisë së Fierit, u shpreh:  “Gjej rastin për të falenderuar edhe një herë TAP për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, i cili do t’u shërbejë fermerëve të zonës për të ushtruar veprimtarinë e tyre në kushte të përshtatshme. Me këtë projekt, ashtu si edhe me projektet e tjera sociale të zbatuara në Bashkinë e Fierit, TAP tregoi edhe një here se është i përgjegjshëm dhe i vëmendshëm për t’iu përgjigjur nevojave të komuniteteve ku kalon.”

Menaxheri i TAP-it për Shqipërinë, Malfor Nuri, shtoi: “Nëpërmjet një sërë investimesh sociale dhe mjedisore, TAP i ka dhënë një shtysë pozitive ekonomive të bashkive ku kalon gazsjellësi. Tregu i ri i gjësë së gjallë në Fier ofron tashmë standarde optimale për tregtimin e produkteve lokale dhe gjësë së gjallë. Tregu është një projekt që do të nxisë zhvillimin e ekonomisë së zonës, si dhe do të kontribuojë në përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore.”

TAP-i mbetet i përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe vendore. Ai ka identifikuar “mirëqenien”, “ndërtimin e kapaciteteve” si dy përparësitë e tjera në fushën e investimeve krahas “cilësisë së jetës”.