Skip to main content

Ndërtimi i Tubacionit në Shqipëri

Gjurma e TAP-it në Shqipëri është rreth 215 km e gjatë në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat shqiptare të Detit Adriatik. Pjesa tokësore nis në Bashkinë Devoll në qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe del në Detin Adriatik 17 në veriperëndim të Fierit, 400 metra nga vija bregdetare.

Në fazën e parë do të ndërtohen një stacion kompresorësh dhe një stacion matës në afërsi të Fierit dhe të Bilishtit, përkatësisht. Në fazën e dytë, nëse kapaciteti i gazsjellësit do të zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm) në vit, stacioni matës në afërsi të Bilishtit do të kthehet në një stacion kompresorësh shtesë. Përgjatë gjurmës së tubacionit në Shqipëri do të ndërtohen 8 stacione valvulesh bllokimi dhe një stacion i daljes në det.

Punimet në secilin ‘segment’ ndërtimi pritet të zgjasin zakonisht tre deri në gjashtë muaj. Ashtu si edhe gjetkë përgjatë gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i groposur nën tokë.

Për të bërë të mundur transportimin e sigurt të tubacioneve nëpër Shqipëri, së fundmi janë ndërtuar nga e para ose janë rikonstruktuar rreth 220 km rrugë ndihmëse. Këto punime u kryen në dy faza.

Në fund të vitit 2016, TAP-i përfundoi fazën e parë të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, që përfshinte përmirësimin e rreth 58 km rrugë ndihmëse, ndërtimin e dy urave të reja dhe përmirësimin e 40 urave të tjera.

Kanë përfunduar tashmë punimet për fazën e dytë të ndërtimit dhe të riparimit të mbi 140 km rrugë dytësore si dhe zëvendësimit ose restaurimit të 25 urave.

Ju lutemi, vini re se të gjitha shifrat e përmendura në tekst janë të përafërta dhe mund të ndryshojnë gjatë zhvillimit të projektit.