Skip to main content

Ndërtimi i tubacionit në pjesën tokësore

Pjesa tokësore e TAP-it do të ketë një gjatësi të përgjithshme prej rreth 773 km (Greqi 550 km; Shqipëri 205 km; Itali 8 km).

Pjesa tokësore e gazsjellësit (në Greqi dhe Shqipëri) do të ketë një diametër prej 1,2 m (48 inç), ndërsa diametri i segmentit detar dhe pjesës tokësore në Itali do të jetë 0,91 m (36 inç). Trashësia e mureve të tubave të çelikut do të luhatet nga 17,5 deri në 31 mm (ka gjithsej katër kategori tubash).

Puna për shtrirjen e tubacionit në pjesën tokësore kryhet në ‘segment’ në zona të ndryshme përgjatë të gjithë gjatësisë së gjurmës së tubacionit, dhe nuk nis në njërin krah për të përfunduar në krahun tjetër. Gjerësia e korridorit të ndërtimit varet nga terreni ku punohet.

Veprimtaritë faktike të ndërtimit në çdo ‘segment’ ndërtimi zgjat përafërsisht tre muaj. Nevojitet edhe kohë shtesë për rikthimin në gjendjen fillestare.

Teknika të tilla si shpim me drejtim horizontal përdoren për kryqëzimet me rrugët dhe lumenjtë, dhe bëhet shumë kujdes për të zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur ndikimin në mjedis gjatë ndërtimit.

Pas ndërtimit, tubacioni do të jetë i groposur në të paktën një metër thellësi dhe do të jetë i padukshëm.

Përmasat e tubacionit në pjesën tokësore në Greqi dhe Shqipëri

Në pikën e tij më të lartë, në Potom ndër malet shqiptare, tubacionit do të arrijë në 1.800 metra mbi nivelin e detit. Tubacioni do të përshkojë nëntë maja malesh me lartësi më të madhe se 500 metra, ndërsa pjerrësia e tij më e madhe do të jetë në një kënd prej 40 gradësh.

Veprimtaritë e ndërtimit priten të përfundojnë në vitin 2019. Faza e fundit, përpara se gazsjellësi të fillojë funksionimin, është faza e testimit të projektit, që është programuar të kryhet në gjysmën e dytë të vitit 2019.

Stacionet e kompresorëve dhe impiantet e tjera mbi sipërfaqe

Impiantet mbi sipërfaqe përfshijnë dy stacione kompresorësh, stacione të valvulave të bllokimit dhe terminalin pritës të gazsjellësit në Itali.

Dy stacionet e kompresorëve, njëri në afërsi të Kipoit në Greqi dhe tjetri në bregdetin shqiptar në afërsi të Fierit, do të përdoren për të siguruar transportimin e gazit përmes gazsjellësit. Për zgjerimin e kapacitetit në 20 bcm në vit në të ardhme, do të jetë e nevojshme të ndërtohen dy stacione të reja kompresorësh, një Bilisht të Shqipërisë dhe në Serres të Greqisë.

Stacionet e valvulave të bllokimit do të ngrihen 30 km larg njëri-tjetrit përgjatë tubacionit për të ndërprerë rrjedhjen e gazit gjatë mirëmbajtjes rutinë ose në raste urgjence.

Tubacioni në pjesën detare dhe ndërtimi i daljes në det

TAP-i do të përshkojë Adriatikun në pjesën e tij më të ngushtë midis Fierit në Shqipëri dhe rajonit jugor të Pulias në Itali, me një gjerësi prej vetëm 105 km. Përzgjedhja e kësaj gjurme mori gjithashtu në konsideratë kërkesat strikte të mbrojtjes mjedisore dhe natyrën specifike të shtratit të Detit Adriatik.

Shtrirja e tubave në thellësi prej më shumë se 800 metra do të kërkojë përdorimin e mjeteve lundruese të specializuara të llojit S për shtrim, një teknologji kjo shumë moderne e përdorur gjerësisht në ndërtimin e tubacioneve. Mjeti lundrues do të përparojë ndërkohë që vargu me tuba shtrihet nga pjesa e tij e prapme në ujë, duke ndjekur një kurbë të dallueshme në formë S-je deri në shtratin e detit.

Tuba me gjatësi 12 metra do të saldohen në bord të mjetit lundrues për të formuar vargun e tubacionit. Tubi i jashtëm prej çeliku do të ketë një diametër prej 0,91 m dhe trashësi prej 20 deri 34 mm, në varësi të thellësisë së ujit. Në thellësi prej më pak se 300 metra, tubat do të vishen me beton për t’i mbrojtur nga dëmtimet e mundshme. 

Pika më e thellë e tubacionit nën nivelin e detit do të jetë 820 metra në Ngushticën e Otrantos në Detin Adriatik.

Fazat e Ndërtimit

Afatet e TAP-it janë në përputhje me zhvillimet në rrjedhën e sipërme, që do të thotë se afatet e sakta do të varen nga ecuria e zhvillimit të Fazës së 2 të Shah Deniz-it në Detin Kaspik.

Pajisje të veçanta do të përdoren në daljet në det në Itali dhe Shqipëri për t’u siguruar që tubacion të hyjë në pjesën tokësore me ndikimet negative më minimale të mundshme mbi mjedisin vendor dhe duke treguar respekt për zonat bregdetare. Për shembu, hyrja në tokë në Itali do të ndërtohet duke përdorur teknologjinë e tunelit mikro për t’i lejuar tubacionit të hyjë në tokë pa dalë në sipërfaqe, për të mos ndikuar zonën e plazhit.

Instalimi i pjesës detare të tubacionit është programuar të kryhet në vitin 2019.

Për më shumë informacion mbi ndërtimin e seksioneve specifike të tubacionit dhe infrastrukturës në vende të veçanta, ju lutemi vizitoni nën-faqet e vendeve përkatëse.