Skip to main content

Kthehu pas

TAP Përmirëson Kushtet e Maternitetit të Fierit

20 shtator 2019

Fier, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka ndërhyrë duke përmirësuar mjediset e brendshme të Repartit të Neonatologjisë në Maternitetin e Fierit si edhe i ka dhuruar pajisjet e nevojshme mjekësore. Më shumë se 1’700 foshnje që lindin çdo vit në këtë maternitet përfitojnë nga ky investim pjesë e programit të Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP.

 

TAP ka investuar rreth 31'000 euro në Repartin e Neonatologjisë për të përmirësuar kushtet e trajtimit të foshnjave të sapolindura. Shërbimit të Terapisë Intensive i janë dhuruar pajisje mjekësore si EKO abdominale për foshnje, grafi me rreze X, kupa oksigjeni dhe mjete matëse, etj..

Ndërsa te infrastruktura fizike e ambienteve të shërbimit te terapisë intensive në repartin e Neonatologjisë është ndërhyrë në muret e brendshme, vendosjen e dritareve me izolim termik, vendosja e kondicionerëve, instalimi i pajisjeve për fikjen e zjarrit, etj.

Nevila Shuke, Drejtoreshe e Spitalit Rajonal të Fierit, falënderoi TAP për mbështetjen: “Si drejtuese e këtij institucioni, dhe në emër edhe të stafit të repartit të Neonatologjisë, do të doja të shprehja mirënjohjen tonë për TAP. Falë punës së bërë, sot Reparti i Neonatologjisë të ofron një tjetër pamje, krejtësisht bashkëkohore e për më tepër shumë herë më funksionale e që i vjen në ndihmë si të personelit mjekësor por mbi të gjitha të porsalindurve dhe nëna të reja.”

Tashmë, Shërbimi i Terapisë Intensive i Repartit të Neonatologjisë mund të ofrojë kontrollet dhe trajtimet e munguara për foshnjat e lindura në Spitalin Rajonal të Fierit.