Skip to main content

Kthehu pas

Praktikantët e TAP vizitojnë Kantieret e Punimeve të TAP në Skrapar

11 korrik 2018

Më 5 dhe 6 Korrik 2018, gjashtë praktikantë, të cilët janë duke përfituar përvojë praktike profesionale në Gazsjellësin Trans Adriatik, vizituan kantieret e punimeve të TAP në Skrapar, Shqipëri. Të gjashtë profesionistët e rinj kanë filluar praktikën profesionale në TAP në Prill 2018, secili duke iu bashkuar departamenteve të ndryshëm si: Blerja dhe Servituti i Tokës (LEA), Komunikimet, Ekspert Social, Prokurimet, Siguria Teknike dhe Shëndeti (HSE), Investimet Sociale dhe Mjedisore (SEI).

 

TAP është i angazhuar të rrisë përvojën e profesionistëve të rinj në Shqipëri përmes programit të praktikave profesionale. Praktikantët ishin pjesë e një vizite dy-ditore në kantier, ku patën rastin të shikojnë pamjen e plotë të punimeve të projektit dhe ndikimin pozitiv të Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP në komunitetet lokale. Praktikantët vëzhguan nga afër duke kuptuar më mirë proceset e ndërtimit të TAP, pasi shumica e punës së tyre ka qenë e fokusuar në zyrë.

Përfaqësuesit e TAP dhe të kontraktorit Spiecapag prezantuan standardet e TAP për (sigurinë, trashëgiminë kulturore, mbrojtjen e mjedisit, etj.), progresin e projektit si dhe fazat e ndërtimit të cilat për momentin janë duke u zhvilluar në Skrapar. Praktikantët ishin dëshmitarë të punimeve në pikën më të lartë të Gazsjellësit (2,100m) si dhe në kantierin e ndërtimit të mikro-tunelit në Çorovodë.  

Gjithashtu, të gjashtë praktikantët vizituan disa nga projektet e Investimeve Sociale dhe Mjedisore në Berat dhe Skrapar si dhe zhvilluan takime me përfaqësuesit vendorë të dy bashkive.