Skip to main content

Kthehu pas

TAP Mbështet Zhvillimin e Turizmit dhe Bujqësisë në Skrapar

17 maj 2018

Skrapar, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka mbështetur dhe ka marrë pjesë në hapjen e stinës së turizmit dhe panairin e produkteve agro - bujqësore që u organizua me datë 9 Maj 2018 në Skrapar.

 

Në aktivitetin e organizuar nga bashkia e Skraparit dhe mbështetur nga TAP, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ambasadorët e Kinës, Sllovakisë, Kuvajtit, Serbisë dhe Polonisë, Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu, si dhe deputetë të kësaj zone. Ky aktivitet mblodhi bashkë operatorë vendorë të fushës së turizmit dhe fermerë e prodhues të kësaj zone për të prezantuar ofertën e Skraparit për vizitorët këtë vit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë fjalës përshëndetëse tha: “E ardhmja e Skraparit mbështet fort tek turizmi. Duhet promovim i potencialeve dhe resurseve turistike të zonës, nga vlerat e kulinarisë të ushqimeve bio e deri tek të pakrahasueshmet Kanionet e Osumit, si pasuri kombëtare unikale dhe me vlera të jashtëzakonshme. Gjithashtu edhe TAP po jep një ndihmë të madhe nëpërmjet investime që kanë përmirësuar infrastrukturën rrugore të zonës dhe investimeve të tjera sociale dhe mjedisore.”

Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu, në fjalën e tij u ndal tek ajo që mund t’i ofrojë Skrapari vizitorëve dhe turistëve: “Këtë vit infrastruktura rrugore e Skraparit është përmirësuar shumë në krahasim me një vit më parë. Kjo edhe falë investimeve të TAP në disa rrugë kryesore të kësaj zone. Tani, turistët do të kenë mundësi që të vizitojnë edhe fshatrat më të thella të Skraparit. Nga ana tjetër banorët e këtyre fshatrave kanë mundësi që prodhimet e tyre bujqësore t’i tregtojnë në tregje më të mëdha.”

Koordinatori i TAP për Skraparin, Endri Dyrmishi, në fjalën e tij theksoi bashkëpunimin e mirë të projekti TAP me Bashkinë e Skraparit dhe shtoi: “Ndihma për nxitjen e turizmit dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të kësaj zone gëzon një vëmendje të veçantë për TAP. Për këtë arsye investimet tona në këtë zonë nuk kanë munguar sidomos në përmirësimin e infrastrukturës, aq shumë e nevojshme për të zhvilluar turizmin dhe afrimin e prodhimeve të Skraparit me tregjet. Jam i bindur që me përkrahjen e Bashkisë së Skraparit, investimeve sociale dhe mjedisore të TAP dhe punës së vetë skraparllinjve, numri i turistëve do të rritet dhe prodhimet e zonës do të kërkohen edhe më shumë.”

Në sheshin qendror të Çorovodës banorë vendas dhe turistë u mblodhën për të provuar ushqimet dhe prodhimet tipike të Skraparit ku gjithashtu mësuan më shumë rreth paketës turistike të zonës. Skrapari është një zonë me kushte shumë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë si edhe ofron mundësi të shumta për turistët.

TAP ka investuar në këtë zonë në përmirësimin e infrastrukturës në funksion të projektit ku përfitues janë edhe banorët. Rruga Çorovodë – Potom, by-pass-i i qytetit të Çorovodës, rruga e Therepelës, etj janë disa nga këta investime. Ndërkohë si pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore në Skrapar mund të përmenden, ndërtimi i dy pikave panoramike mbi kanionin e lumit Osum, rikonstruksioni i urës së qytetit dhe zgjerimi i saj në dy korsi, vendosja e kondicionerëve për shkollën 9-vjeçare, etj.. Të gjitha këto investime të TAP kanë dhënë ndikimin e tyre në rritjen ekonomike të zonës duke përmirësuar jetesën e banorëve.