Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Gazsjellësi Trans Adriatik Përfundon Pjesën Detare

09 qershor 2020

Baar, Zvicër. Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG ka përfunduar me sukses pjesën detare, prej 105 km, të tubacionit që përshkon Detin Adriatik. Kjo arritje përfshin përmbylljen me sukses të një sërë procesesh, si instalimin e tubave me diametër 36 inç në pjesën detare nga Castoro Sei, mjetin lundrues per shtrirje tubash gjysëm të zhytur të Saipem-it, lidhjen mbi ujë me infrastrukturën tokësore në ujërat shqiptare, si dhe testimin me ujë të aseteve, për t’u siguruar që janë të sigurta dhe të gatshme për funksionim.

 

Veprimtaritë për lidhjen e brigjeve italiane me ato shqiptare nisën në mes të janarit të vitit 2020, me saldimin dhe testimin e tubave në bordin e Castoro Sei dhe më pas me shtrirjen e tyre në shtratin e Detit Adriatik në një kanal të vazhdueshëm, duke nisur nga brigjet italiane në drejtim të Shqipërisë.

Shëndeti dhe siguria vijnë të parat. Kështu, duke marrë në konsideratë pandeminë e Covid-19, TAP-i dhe kontraktori i tij Saipem zbatuan një sërë masash strikte me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së të gjithë individëve të përfshirë.

Luca Schieppati, Drejtor Menaxhues i TAP, u shpreh: “Përfundimi i pjesës detare të gazsjellësit shënon një tjetër etapë kyçe drejt finalizimit të projektit tonë. Pas fillimit të funksionimit, TAP-i do të sjellë një burim të ri gazi natyror në Evropë, duke mbështetur dekarbonizimin, sigurinë dhe diversifikimin e energjisë. Jam krenar që këto punime të ndërlikuara teknike janë ndërmarrë në përputhje me standardet më të larta të shëndetit dhe sigurisë.”

John Haynes, Drejtor i Projektit i TAP, shtoi: Këto janë momente të paprecedenta për të gjithë ne dhe industria e energjisë është e angazhuar në një moment delikat ekuilibrimi, ku nga njëra anë punojmë me kujdes të jashtëzakonshëm në kuadrin e operacioneve në terren, ndërkohë që vijojmë të sigurojmë energjinë e nevojshme për banesat dhe bizneset tona. Tashmë, më shumë se 95% e projektit TAP ka përfunduar dhe mezi presim të arrijmë vijën e finishit në fund të këtij viti.”

Rreth 9.000 tuba me diametër 36 inç u përdorën për pjesën detare të TAP-it, me një peshë prej rreth 100.000 ton gjithsej. Tubat janë shtrirë në shtratin e Detit Adriatik:25 km në ujërat territoriale të Italisë, 43 km në ujërat ndërkombëtare dhe 37 km në ujërat territoriale të Shqipërisë.

Pika më e thellë e tubacionit është rreth 810 metra nën sipërfaqen e detit. Castoro Sei i Saipem-it ka shtruar një mesatare prej rreth 1.2 km në ditë, duke arritur një maksimum prej 2.8 km brenda një dite.

 

SHËNIME

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

Sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë në vitin 2020.

Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Evropës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP-it në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane.

TAP-i promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu, ai është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.

Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline

Pyetje për Median në Anglisht: media@tap-ag.com