Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Rehabiliton një tjetër Rrugë në Korçë

24 korrik 2018

Tiranë, Shqipëri. TAP dhe kontraktorët e tij së shpejti do të përfundojnë rehabilitimin e rrugës prej 12.5 kilometrash që lidh fshatin e Vithkuqit me rrugën nacionale Korçë – Ersekë. Ashtu si është angazhuar, TAP siguron rehabilitimin e plotë të rrugëve të përdorura, në këtë rast aksi rrugor Floq – Vithkuq.

 

Në këtë segment janë kryer punime thelbësore duke përfshirë shtresën e poshtme të rrugës dhe kanalizime, gjithashtu ky segment rrugor është zgjeruar në pjesë të caktuara dhe do të asfaltohet i gjithi. Rruga po rehabilitohet në kuadër të fazës për rrugët dhe urat ndihmëse të cilat janë përdorur për transportin e materialeve të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.

Shumë fshatra të zonës së Korçës përfitojnë nga përmirësimi i këtij segmenti rrugor. Rreth 3,000 banorë nga fshatrat e Vithkuq, Lubonjë, Roshanj, Rehovë, Gjanc, Leshnje, Shtyllë, Trebicka, Grabocka, Stratoberdha, Cemerica dhe Panarit tashmë mund të arrijnë më të lehtë dhe më të sigurt Korçën.

Në Korçë, gjatë fazës së parë të ndërhyrjes në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, TAP ka rindërtuar 9 ura dhe përmirësuar rreth 15.5 km rrugë. Ndërsa në gjithë Shqipërinë, gjatë fazës së parë të Rrugëve dhe Urave Ndihmëse janë rindërtuar rreth 58 km rrugë, janë ndërtuar dy ura të reja dhe janë rehabilituar 40 ura ekzistuese.

Faza e dytë e rehabilitimit të rrugëve ndihmëse, që parashikon rehabilitimin e rreth 120 km rrugë, do të kryhet nga AlbStar, një kontraktor vendas i kontraktorit të TAP, Spiecapag. Deri në fund të muajit Qershor më shumë se 80% e punimeve të fazës së dytë të punimeve kanë përfunduar.

TAP kalon terren sfidues në zonën malore të Shqipërisë, me pikën më të lartë të gazsjellësit në 2,100 metra lartësi. Makineri të rënda dhe pajisje, duke përfshirë një makineri prej 60 tonësh për lakimin e tubave dhe mbi një mijë tuba prej 18 metrash që peshojnë deri në 16 ton, duhet të kenë qasje të sigurt në këto zona të largëta. Kjo është arsyeja pse TAP ka ndërtuar dhe përforcuar disa pjesë thelbësore të infrastrukturës përgjatë gjurmës së tij. Prandaj, të gjitha përmirësimet e TAP në infrastrukturën rrugore në Shqipëri janë kryer për të mundësuar transportimin e sigurt të tubave dhe makinerive të rënda për projektin.