Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP mbështet Festivalin e Komedisë në Korçë

27 shtator 2017

 

Korçë, Shqipëri. Në muajin shtator, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka mbështetur organizimin e edicionit të katërt të festivalit e komedisë “KoKo Fest” në qytetin e Korçës.

 

Përgjatë një jave, teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës ka pritur trupat teatrale nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Për publikun janë vënë në skenë 7 komedi të luajtura nga më shumë se 55 aktorë.

Drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës, Zamira Kita, falënderoi TAP për mbështetjen e dhënë në organizimin e këtij festivali dhe kulturën në zonën e Korçës duke theksuar: “Përveç ndihmës që na ka dhënë për organizimin e këtij edicioni të katërt të festivalit, TAP është bërë një partner i kulturës në Shqipëri. Për t’u vlerësuar është investimi i TAP në ndërtimin e muzeut të fotografit të shquar korçar Gjon Mili. Ky muze është shumë i rëndësishëm për promovimin e kulturës në Korçë.”

Drejtori i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, në bisedën që pati me organizatorët dhe artistët vlerësoi festivalin dhe shtoi: “TAP, në të gjitha bashkitë ku kalon gjurma e gazsjellësit, po mbështet një sërë projektesh që përmirësojnë jetën e banorëve në këto komunitete. Ne besojmë se kultura është një element shumë i rëndësishëm në përmirësimin e jetës se qytetarëve dhe për këtë arsye jemi të lumtur që kemi mbështetur një sërë aktivitetesh dhe projektesh kulturore.”

Natën e fundit të Festivalit u shpërndanë edhe çmimet për aktorët, regjizorin dhe shfaqjen më të mirë. Çmimet iu dorëzuan artistëve nga Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo dhe drejtori i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo.

Çmimin për shfaqjen më të mirë e mori Teatri i Shkupit me “Shfaqja që shkon mbrapsht” ndërsa si regjizori më i mirë u vlerësua Qëndrim Rijanit. Ndër aktorët, Yllka Muja u shpall aktorja më e mirë protagoniste dhe Luan Jaha aktori më i mirë protagonist.