Skip to main content

Kthehu pas

TAP Ka Krijuar Marrëdhënie Të Forta Me Komunitetet Vendore

20 qershor 2019

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) vijon të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetet pranë gjurmës së gazsjellësit. Këtë e pohoi Malfor Nuri, Menaxher i TAP për Shqipërinë, në Forumin Ndërkombëtar të Kartës së Energjisë i cili u organizua në Tiranë me datë 13 qershor 2019. 

 

Z. Nuri bëri një përshkrim të ecurisë së deritanishme të ndërtimit të TAP dhe përfitimeve që do i sjellë rajonit e më gjerë: “TAP është një ndër projektet energjetike më të rëndësishme në Evropën Jug-Lindore dhe punimet po ecin sipas planit. Prania e TAP përveçse i jep një pozicion strategjik Shqipërisë është edhe në themel të ngritjes së infrastrukturës së brendshme për shpërndarjen e gazit.

“Përveç ndërtimit të gazsjellësit ne jemi kujdesur që të ndërtojmë edhe marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ndershme me komunitetet fqinje me ne. TAP ka investuar në shumë projekte sociale dhe mjedisore që ndikojnë në  përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve.” shtoi z. Nuri.

Forumi mblodhi bashkë Ministra, përfaqësues të lartë nga agjencitë rregullatore të energjisë, të Komisionit Evropian, aktorë të rëndësishëm nga sektori privat dhe publik nga shumë vende të botës.

Forumi trajtoi tema të rëndësishme mbi të ardhmen e sektorit të energjisë si diversifikimi i burimeve, energjitë e rinovueshme, ulja e emetimeve të dyoksidit të karbonit (CO2), rritja e ndërlidhjeve midis rrjeteve të rajonit, krijimi i një tregu më konkurrues dhe efiçensa në përdorimin e energjisë.

Vetë TAP ishte një ndër fjalët kyçe të forumit dhe referencë si projekti më i rëndësishëm energjetik në rajon dhe në Shqipëri.

Forumi u organizua nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Sekretariati i Kartës së Energjisë. Shqipëria mban këtë vit presidencën e Kartës së Energjisë.