TAP Lidh Kontratën për Kabullin me Fibër Optike Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Lidh Kontratën për Kabullin me Fibër Optike

21 qershor 2016

 

Baar, Zvicër. Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) ka përzgjedhur Himachal Futuristic Communications Ltd. (HFCL) për furnizimin dhe dorëzimin e rreth 1.550 km kabull me fibër optike. Ky kabull do të lehtësojë komunikimin e dyanshëm të qendrës mbikëqyrëse të kontrollit me tubacionin dhe asetet e lidhura me të, si stacionet e kompresorëve dhe stacionet e valvulave të bllokimit.

Ian Bradshaw, Drejtor Menaxhues i TAP-it, tha: “Përgëzime HFCL-së që arriti të fitojë këtë proces tenderimi si dhe përgëzime të gjitha kompanive të tjera për ofertat e tyre. Kabulli me fibër optike është një pjesë e rëndësishme e tubacionit dhe do të lehtësojë operacionet efikase të gazsjellësit.”

Himachal Futuristic Communications Ltd., Indi, është një ofrues infrastrukture telekomunikacioni të plotë i besuar dhe mundëson zgjidhjet e saj për një sërë operatorësh në fushën e telekomunikacionit, ofruesve të shërbimeve të internetit (ISP), kompanive të infrastrukturës, sektorit të energjisë dhe atij të naftës dhe gazit në të gjithë botën. HFCL është një nga prodhuesit më të mëdhenj të kabllove me fibër optike dhe ka një bazë të madhe klientësh në më shumë se 30 vende.

Në vitin 2015 TAP-i ka lidhur disa kontrata: ndërtimi dhe përmirësimi i rrugëve dhe urave dytësore ndihmëse në Shqipëri (prill 2015), valvulat sferike me diametër të madh dhe aktivizuesit (korrik 2015), dhe turbo kompresorët  (shtator 2015), fashaturat lidhëse, bërrylave izolues dhe pritësve të sondave pastruese (tetor 2015), 270 km tuba linje dhe bërryla për pjesën tokësore (tetor 2015) dhe 495 km tuba linje për pjesën tokësore (nëntor 2015), si dhe ndërtimin e pjesës tokësore të tubacionit dhe terminalin pritës të gazsjellësit në Itali (dhjetor 2015). Në vitin 2016 TAP-i ka lidhur kontrata për ndërtimin e seksioneve tokësore të tubacionit në Shqipëri dhe në Greqi (mars 2016), ndërtimin e pjesës detare dhe stacionet e kompresorëve (maj 2016) si dhe tubat e linjës për pjesën detare (prill 2016)  .

Për më shumë informacion mbi procesin e prokurimit të TAP-it dhe kontratat që planifikon të lidhë, ju lutemi vizitoni: http://www.tap-ag.al/mundesite-e-projektit/per-kompanite

 

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.

Struktura aksionare e TAP-it përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Pyetjet për Median: media@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.al | www.twitter.com/TAP_Shqiperi